Artikuj

Pse duhet të blini një orë artizanale

Një nga arsyet kryesore pse familja jonë Tufina krenohet për produktet që ofrojmë në treg është fakti që orët tona janë artizanale. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë, sepse e cilësojmë si element dallues nga kompanitë e tjera dhe do të donim që edhe ju ta vlerësonit.

Na lejoni t’ju shpjegojmë pse ia vlen të blesh një orë artizanale.

Së pari, ora artizanale ka shpirt, në ndryshim nga produktet të cilat që në pamje të parë të krijojnë përshtypjen që janë pasojë e një punë krejtësisht automatike. Ora e cila punohet me dorë nga njeriu ka një histori të vetën personale që nga dizajni dhe deri te detajet e fundit të vendosura pas një procesi të mirëmenduar. Prandaj quhet artizanale. Në të ka art, jo thjesht një kombinim metalesh e xhamash. Rrjedhimisht, ora e punuar me dorë ka ndjenjë, e cila transmetohet brez pas brezi, nëse ju tregoheni të kujdesshëm me të. Duket sikur orëndreqësi e përcjell pasionin e tij te ju.

Së dyti, saktësia dhe jetëgjatësia janë të garantuara, kur ora punohet me dorë. Nëse keni lexuar ndokund se roboti ia kalon njeriut apo se një makineri punon më mirë se dora e një të apasionuari pas orëve, dijeni se është gabim. Ora artizanale i ka të gjitha detajet të punuara me kujdes të veçantë. Jetëgjatësia e saj është e garantuar dhe ju do të ndiheni krenarë duke e mbajtur në dorë, duke ditur se keni një produkt krejtësisht unik.

Së treti, ora artizanale ka identitet. Ju e dini se çfarë keni blerë, sepse ajo është krejtësisht e veçantë. Kur ora punohet me dorë, ajo nuk është më thjesht pjesë e një liste orërash të cilat përfshihen në një markë të caktuar. Ajo është “markë” më vete. Uni i saj përfaqësohet nga të gjitha ditët e punës të një ekipi njerëzish të cilët kanë bërë të mundur krijimin e saj. Çdo orë artizanale ndryshon nga tjetra. Ndoshta jo në pamje, por është ndryshe, e veçantë. Edhe ju do të ndiheni të veçantë, sepse e kuptoni se nuk mund ta quani aksesor, por një pasuri personale e krijuar për ju.